Barazia gjinore dhe fuqizimi i gruas, për më shumë të drejta ekonomike në reduktimin e hendekut gjinor, ishte fokus i takimit të nivelit të lartë të Grupit të Bankës Botërore, ku Shqipëria u përfaqësua nga deputetja dhe ish-ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

Në fjalën e saj Denaj theksoi se barazia gjinore nuk është vetëm beteja e gruas, por e gjithë shoqërisë.

Përmes një postimi zyrtar në rrjetet sociale, Denaj tha se në Shqipëri më shumë se gjysma e grave dhe vajzave, të moshës 15-74 vjeç, kanë përjetuar një ose më shumë nga pesë llojet e ndryshme të dhunës gjatë jetës së tyre ndaj kjo është një kambanë alarmi për ndërgjegjësim të shoqërisë.

Denaj deklaroi se Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2030, një komponent i rëndësishëm në luftën kundër dhunës gjinore, parashikon mbulimin me fonde buxhetore të 50.5% për zbatimin e saj. Këto plane përfshijnë masa në mbështetje të viktimave të dhunës dhe trafikimit dhe grupeve të tjera të pafavorizuara të grave.

Sipas Denaj, kuadri mbrojtës ligjor në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më i fortë, çka tregon angazhimin serioz të institucioneve përkatëse. (Irma)