Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi se në Shqipëri deri tani janë kryer mbi 2.5 milionë vaksinime anti-Covid. Vetëm në një ditë u kryen 8155 vaksinime.

Në një njoftim zyrtar në faqen e ministrisë thuhet se vaksinimi masiv anti-Covid vijon në të gjitha pikat e përqendruara të vaksinimit, në qendrat shëndetësore, poliklinika si dhe nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet në kuadër të aksionit kombëtar “derë më derë”.

Ndër të tjera theksohet se, 229 qytetarë shqiptarë të vaksinuar plotësisht jashtë vendit, janë evidentuar nga mjekët e familjes nëpërmjet certifikatave të vaksinimit, ose 458 vaksinime të aplikuara jashtë vendit.

Vaksinimi ndaj Covid-19 është i hapur për të gjithë personat +16 vjeç si dhe fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar.

Në Shqipëri janë mbi 17 mijë raste aktive, ndërsa më shumë se 205 mijë pacientë janë shëruar. Numri i personave që nuk e fituan dot betejën është 3255. Në spitale po marrin trajtim mjekësor 130 pacientë, nga të cilët 20 janë në gjendje më të rënduar. (Irma)