[Foto: a2]

[Foto: a2]

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi se kulmi i Omicron-it në Shqipëri pritet të shihet nga fundi i janarit. Ndërsa theksoi se ka pasur rritje të numrit të thirrjeve nga qytetarët, gjithsesi, sipas tij, nuk krahasohet me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Vjet ishim deri në 12.000 telefonata në 24 orë, ndërsa tani ka rreth 2000 thirrje. Kjo është mëse e përballueshme. Aktualisht, mendoj se në Shqipëri është dominues Delta”, nënvizoi Brataj, gjatë një interviste për “A2”.

Brataj theksoi rëndësinë e vaksinave anti-Covid, duke shtuar se sipas llojit, vaksinat kanë një përqindje efikasiteti që nuk i kalon 95%. “Ai 5% mund të kapë këdo dhe mund të humbasë jetën. Efikasiteti i vaksinave ndaj Omicron është deri në 88%. Mbrojtja është e domosdoshme. Nuk është thënë ndonjëherë që po u vaksinove, nuk infektohesh”, -u shpreh Brataj. Sipas tij, personi që nuk është vaksinuar rrezikon njësoj si ditën e parë që ka dalë Sars-Cov2.

Në lidhje me mosndryshimin e masave nga Komiteti i Ekspertëve, Brataj tha se masat merren gjithmonë në kuadrin e indikatorëve të epidemiologjisë: “Duhet pasur parasysh që gjatë një pandemie, ndryshon edhe roli i indikatorëve. Në këtë periudhë nuk ke pse merr masa shtrënguese, pavarësisht shtimit të rasteve, kur numri i të shtruarve në spital është më pak se 200. Është një proces dinamik, që vlerësohet çdo ditë. Ne po mblidhemi pothuajse çdo javë dhe i përshtasim masat”. (Irma)