Qeveria shqiptare nxori për konsultim publik programin e ri të reformave ekonomike 2022-2024, në të cilin ka planifikuar të orientojë investimet në sektorin e transportit nga rrugët në hekurudha dhe porte.

Projekti kryesor do të jetë linja e re hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, punimet e të cilës kanë nisur. Gjithashtu prioritet do të jetë transporti detar, pasi infrastruktura detare është e pazhvilluar me kapacitet të pamjaftueshëm.

Bashkë me hekurudhën e re prioriteti i tre viteve në vijim do të jetë zhvendosja e aktiviteteve tregtare nga Porti i Durrësit në Porto Romano dhe zonën ekonomike të Spitallës, dhe shndërrimi i Portit të Durrësit në një port turistik, përcjell “Monitor”.

Qeveria në programin e ri të reformave ekonomike referoi se përmirësimi i bazës ekologjike në transformimin e sistemit të transportit të Shqipërisë drejt sistemit hekurudhor të BE-së, promovon sistemin e pastër të transportit dhe nënsistemet hekurudhore, duke vendosur në një treg të vetëm në zonën evropiane të transportit, me teknologjitë neutrale ndaj klimës, integrimin tonë në sistemet e kursimit të energjisë.

Sipas planit, synimi është që në dy dekadat në vijim në transportin hekurudhor të lëvizin mbi 1.7 milionë njerëz, si dhe një rritje e pasagjerëve nga terminali i trageteve nga portet dhe lëvizjen e tyre me hekurudhë në brendësi të vendit dhe drejt aeroporteve. (Irma)