Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, deklaroi se përvjetori i themelimit të policisë është një datë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi u krijuan Forcat e Rendit, nga njerëz jo vetëm që e donin vendin, por edhe besuan se fati i tij ishte dhe do të mbetej në duart dhe në vizionin e bashkëkombasve të tyre.

Gjatë ceremonisë me rastin e 109-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, Nano tha se ata që e përfaqësuan denjësisht ndër vite këtë armë të rëndësishme, ishin njerëz dhe profesionistë me integritet të lartë moral dhe profesional, përcjell “ATSH”.

Sipas tij, Policia e Shtetit, epokë pas epoke dhe rend pas rendi, ia doli mbanë të përvijojë rolin dhe praninë e saj në konsolidimin e shtetit, rendit, sigurisë dhe virtyteve humane e demokratike.

“Sot kemi një Polici më të arsimuar, më të trajnuar, të mirëpajisur me logjistikë dhe në një moshë më të re, por mbi të gjitha me mentalitet e filozofi në të mirë ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së vendit. Policia e Shtetit në këtë 109-vjetor vjen e motivuar nga besimi i qytetarëve, të cilët besojnë dhe mbështesin Policinë e tyre duke bashkëpunuar mes njëri-tjetrit për të krijuar një ambient social më të sigurt për fëmijët tanë”, theksoi Nano, duke shtuar se Policia e Shtetit është në krah të partnerëve, duke dhënë e duke marrë besim të ndërsjellë, e mbi të gjitha e barabartë.

“Ajo ka realizuar qindra operacione kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Bazuar në këta tregues, Policia e Shtetit aderon në shumë agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare dhe të gjitha këto i ka fituar me shumë mund, përkushtim e vetëdije të plotë për protagonizmin e saj në shoqërinë e sotme”, -u shpreh Nano. (Irma)