Rritja ekonomike në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore parashikohet të ngadalësohet në 3 për qind në vitin 2022, pasi politika më të rrepta makroekonomike dhe shpërthimet e përsëritura të Covid 19 rëndojnë mbi kërkesën konsumatore, thuhet në raportin më të fundit të Bankës Botërore për Perspektivat Ekonomike Globale.

Sipas këtij raporti, rritja ekonomike për Shqipërinë në vitin 2022 parashikohet të jetë 3.8 për qind, bën të ditur “Monitor”.

Për vitin 2021, rritja në Shqipëri vlerësohet të ketë qenë 7.2% ose 2.8 pikë për qind më e lartë sesa parashikimi i qershorit 2021. Nga vendet e rajonit, Shqipëria kishte në 2021-shin rritjen e dytë më të lartë pas Malit të Zi (me 10.8%, por ky shtet shënoi dhe rënien më të lartë në 2020-n).

Në krahasim me parashikimin e qershorit, për vitin 2022, pritshmëria për ekonominë shqiptare është rishikuar lehtë me 0.1 pikë përqindje më shumë. Sipas raportit, rritja në afatin e mesëm e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të nxitet nga përshpejtimi i reformave strukturore në kuadër të përgatitjeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke marrë parasysh që ky proces nuk shtyhet më tej.

Raporti thekson se bota po hyn në vitin e tretë të pandemisë dhe pavarësisht rritjes është e rrethuar me shumë rreziqe dhe pasiguri. (Elona)