Saranda po konfirmohet vazhdimisht si një nga markat më të mira të turizmit shqiptar, u bë e ditur gjatë takimit të përvitshëm të Operatorit Turistik Shqiptar, që u zhvillua në qytetin bregdetar, me pjesëmarrjen e aktorëve që operojnë në fushën e turizmit në Shqipëri e në trojet shqiptare.

Saranda është një nga qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë dhe një prej destinacioneve më të preferuara turistike.

Popullsia e saj prej 37 mijë banorësh punon kryesisht në industrinë e turizmit. Gjatë sezonit turistik popullsia e saj 6-fishohet.

Rinovimi i shëtitores së qytetit dhe rindërtimi i shkallëve, janë disa nga investimet që i kanë shtuar vlerën qytetit.

Ndërsa porti i ri turistik në Sarandë do të mundësojë ankorimin e jahteve jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe në dimër.

Kjo pritet ta kthejë të gjithë zonën në një nga më të rëndësishmet të turizëmit elitar në Shqipëri, me impakt të rëndësishëm ekonomik.

Qeveria shqiptare ka bërë gati edhe projektin për ndërtimin e aeroportit të ri të Sarandës, i cili parashikohet të gjallërojë ndjeshëm industrinë turistike. (Fatosi)