Ministria greke e Emigracionit ka shtyrë deri më 22 mars 2022 vlefshmërinë e lejeve të qëndrimit dhe vërtetimeve për rinovim (kartës blu) të emigrantëve të huaj, të cilat skadonin më 31 dhjetor 2021, njofton “Zëri i Amerikës”.

Sipas vendimit të publikuar nga Ministria greke e Emigracionit shtyrja me tre muaj e afatit vlen vetëm për lejet dhe kartat blu me datë skadimi nga 1 janari 2020 deri më 31 dhjetor 2021.

Në pikat e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë emigrantët shqiptarë kanë mundur të lëvizin ditët e para të vitit të ri me këto dokumente pa iu krijuar probleme në anën grekem, thanë burimet kufitare shqiptare.

Ministria greke e Emigracionit ka saktësuar se aplikimet për përtëritjen e këtyre lejeve të qëndrimit bëhen vetëm në mënyrë elektronike.

Vendimi i autoriteteteve greke ndihmon sidomos emigrantët shqiptarë që janë në procesin e ripërtëritjes së lejeve të qëndrimit të cilave u ka përfunduar afati dhe të cilat, edhe për shkak të vështirësive të periudhës së pandemisë, nuk kishin arritur t’i ripërtërinin.

Procesi i lejeve të qëndrimit në Greqi të emigrantëve shqiptarë që përbëjnë pjesën dërmuese të të huajve është vështirësuar sidomos dy vitet e fundit prej pandemisë së koronavirusit.

Qytetarët shqiptarë kanë pasur vështirësi si në plotësimin e dokumentacionit edhe në marrjen e dokumenteve që u nevojiten në Shqipëri për këtë proces për shkak të bllokimeve apo lëvizjes së reduktuar në kufirin shqiptaro-grek. (Fatosi)