Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri njoftoi se policia ka shoqëruar dhe ndaluar 59 persona, pas protestës së organizuar të shtunën përpara selisë së Partisë Demokratike, në Tiranë, ku pati përplasje të fortë mes përkrahësve të grupeve kundërshtare të kreut aktual të partisë Lulzim Basha dhe ish-kryetarit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Protestuesit ishin mbështetës të Berishës, i cili u përjashtua nga partia pasi Uashingtoni zyrtar e ndaloi të hynte në Shtetet e Bashkuara pasi dyshohet për korrupsion. Protestuesit tentuan pa sukses për të marrë selinë e PD-së dhe nxjerrë nga zyra kreun aktual, Lulzim Basha.

“Sipas konstatimeve të Avokatit të Popullit, në të gjitha komisariatet e kryeqytetit ishin shoqëruar në total 59 qytetarë", bën të ditur njoftimi.

Të gjithë të shoqëruarit u kontaktuan nga përfaqësuesit e Avokatit të Popullit dhe nuk rezultuan prej tyre pretendime për veprime të dhunshme të kryera gjatë shoqërimit apo kohës së mbajtur në komisariate, por ata kishin pretendime se nuk kishin kryer veprime të dhunshme, por ishin shoqëruar vetëm për pjesëmarrje në protestë. (Fatosi)