rrjeti rrugor ne SHqiperi, monitor
Shqipëria ka vetëm 180 metër rrugë për kilometër katror, duke u renditur si vendi me dendësinë më të ulët të rrjetit të transportit rrugor në Evropë, sipas një sondazhi të Eurostat.
Bashkimi Evropian numëron rreth 900 metër rrugë për kilometër katror. Në Rajon, Mali i Zi renditet i pari për dendësinë e rrjetit rrugor me rreth 700 metër rrugë për kilometër katror të sipërfaqes. Maqedonia e Veriut renditet e dyta me mbi 600 metër rrugë për kilometër katror, pasuar nga Serbia me 550 metër rrugë për kilometër, Kosova me 240 metër rrugë për kilometër katror dhe në fund Shqipëria me vetëm 180 metër për kilometër, përcjell “Monitor”.
Rrjeti rrugor i Shqipërisë, përfshirë rrugët interurbane kryesore, rrugët interurbane dytësore dhe ato urbane përbëhet prej rreth 18.600 km, nga të cilat rreth 1500 kilometër janë akse kombëtare.
Përsa i përket infrastrukturës rrugore, në 10 vitet e fundit, Shqipëria ka bërë investime shumë të rëndësishme për ndërtimin segmenteve kryesore të Rrjetit Rrugor Kombëtar Shqiptar. Plani Kombëtar i Transportit parashikon përfundimin e ndërtimit të rrjetit kombëtar të rrugëve.
Sipas një inspektimi të rrjetit kombëtar rrugor që u mbikëqyr nga Banka Botërore në vitin 2019. mbi 558 kilometra ose 41 për qind e rrugëve kombëtare në vend janë në gjendje shumë të keqe.
Në kontroll u përfshinë 1347 kilometra rrugë kombëtare, prej të cilave rezultuan në gjendje të keqe 558 kilometra dhe 789 kilometra në gjendje të mirë në përputhje me standardet evropiane, sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. (Irma)