Kryeministri Edi Rama u bëri apel të gjitha kompanive që rezultojnë të dyshuara nga autoritetet tatimore, që të deklarojnë pagat reale për punonjësit e tyre.

Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook”, Rama tha se nëse do të nisë një hetim për evazion ata do të përballen jo vetëm me gjobë, por edhe me burg, pasi bëhet fjalë për shkelje penale.

Sipas shefit të qeverisë shqiptare, mosdeklarimi real i pagave godet jo vetëm pensionet e punonjësve, por përbën edhe një grabitje të skemës së pensioneve.

“Dalja e të dhënave për pagat në njëfarë mënyre ka ndihmuar për të pasur një qartësi lidhur me çfarë ndodh dhe tregon se disa masa që do të ndërmarrim shkojnë në drejtimin e duhur”, -deklaroi kryeministri Rama, duke kujtuar se deklarimi i pasaktë përbën shkelje administrative që dënohet me gjobë dhe në rast të hetimit për evazion fiskal bëhet fjalë për shkelje penale që dënohet me burg. (Irma)