Përgjatë tre viteve në vijim, 2022-2025, skema publike e pensioneve do të zgjerohet edhe me rreth 48 mijë pensionistë, për pagesën e të cilëve duhen edhe së paku 100 milionë euro shtesë.

Shqipëria po përballet me rritje të shpejtë të numrit të pensionistëve për shkak të daljes në pension të periudhës së bumit të lindjeve në vitet 1950-60.

Gjatë vitit 2022, shpenzimet për skemën publike të pensioneve do të arrijnë në 148.9 miliardë lekë me një rritje 4.7% në raport me planin 2021, sipas projektbuxhetit 2022. Ato do të jenë 6.7 miliardë lekë (50 milionë euro) më të larta se fakti i pritshëm i këtij viti, bën të ditur “Monitor”.

Sistemi publik i sigurimeve shoqërore do të vazhdojë të mbështesë me të ardhura mesatarisht nga 744-792 mijë persona që kanë përfituar dhe përfitojnë pensione publike, pensione suplementare si dhe një sërë të ardhurash të tjera të parashikuara me ligje, si dhe vendime të veçanta si dhe vendime kompensuese të Këshillit të Ministrave.

Numri mesatar i kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore parashikohet mbi 820 mijë persona me një rritje në masën 4% më shumë se i pritshmi i vitit 2020.

Shkalla e mbulimit të popullsisë në moshë punë (kontribuues / popullsi në moshë pune) do të jetë mbi 43%. Por skema publike e pensioneve me gjasë do të lehtësohet në vitet në vijim, për shkak të ngjarjeve që po ndodhin në krahun e shpenzimeve.

Pensionistët e rinj, vit pas viti, po përfitojnë pagesa më të ulëta. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në 6-mujorin e parë 2021, mbi 12 mijë persona plotësuan kushtet për pension pleqërie. Masa e pensionit mesatar për grupin e ri të pensionistëve rezultoi 14,900 lekë ose 134 lekë (-1%) më e ulët se masa mesatare e pensioneve të reja që u lidhën në vitin 2020. (Elona)