koronavirusi-ne-shqiperi A2

koronavirusi-ne-shqiperi A2

Në Shqipëri, dhjetori regjistroi një rënie si të rasteve të reja ashtu edhe të viktimave nga Covid 19. Të dhënat zyrtare tregojnë se përgjatë gjithë muajit pati 10.533 të infektuar, niveli më i ulët që pas muajit korrik. Krahasuar me muajin nëntor, bëhet fjalë për një rënie me 28.3 përqind. Mesatarja ditore ishte me 339 të prekur.

Tkurrja e rasteve të reja, ka ardhur ndërkohë që testimet u rritën lehtë me 3.6 për qind e për rrjedhojë pozitiviteti (raporti mes rasteve të reja dhe testimeve) zbriti në nivelin e 11.6 për qind, ose 5.1 pikë përqindje më pak. Edhe rastet e vdekjeve shënuan një rënie të ndjeshme. Në total gjatë muajit të kaluar u shënuan 117 viktima ose 31.2 për qind më pak se në muajin nëntor. Bëhet fjalë për nivelin më të ulët të katër muajve të fundit. Numri më i lartë i jetëve të humbura u regjistrua në javën e tretë (14-20 dhjetor) me 32 viktima, ndërsa data 15 dhjetor ishte dita me më shumë vdekje, 8 qytetarë që kishin humbur jetën.

Në spitale situata erdhi gjithashtu duke u përmirësuar. Ndërsa në 30 nëntor ishin 169 pacientë, nga të cilët 15 në terapi intensive, në ditën e fundit të dhjetorit të shtruar kishte 90 persona nga të cilët 10 në gjendje kritike.

Edhe në krahasim me dhjetorin e vitit 2020, situata është po ashtu më e mirë, me 9 mijë raste e 247 vdekje më pak. Një vit më parë, pozitiviteti ishte në kuota tejet shqetësuese, në 27.3 për qind. Edhe rastet aktive janë më shumë se tri herë më pak. Në fund të dhjetorit 2020 kishte 23.448 persona që rezultonin ende të prekur nga virusi.

Por ditët e fundit të muajit të kaluar dhe ato të fillimit të janarit duket se po tregojnë një tendencë përkeqësimi. Gjatë javës së fundit (28 dhjetor-3 janar) rastet e reja kërcyen me 68.8 për qind më shumë duke kapur shifrën e 3343 të infektuarve. (Elona)