Edhe pse pandemia globale është e qartë se ende ndikon në shpresat, frikën dhe pritshmëritë e botës, përsëri ka dallime të rëndësishme sipas rajonit dhe secilit vend.

Sondazhi i fundvitit i “Gallup” për indeksin e shpresës, indeksin e lumturisë dhe pritshmërinë mbi situatën ekonomike, tregon një shpresë të përmirësuar në fund të 2021-shit, megjithëse nuk arrin nivele të larta të matura disa vite më parë.

Përkundrejt një optimizmi total prej 38% e popullsisë së botës për 2022-shin, Shqipëria tregon 70%, duke u renditur e dyta pas Indonezisë, përcjell “RTSH”. Sipas Indeksit të Shpresës, 5 optimistët kryesorë në botë janë: Indonezia (+72), Shqipëria (+65), Azerbajxhani (+53), Nigeria (+51), Meksika dhe Vietnami (të dyja me rezultat neto +47).

Top 5 pesimistët janë Turqia (-34), Bullgaria (-34), Afganistani (-32), Polonia (-30) dhe Republika Çeke (-25).

Për sa u përket rajoneve, Evropa, Rusia dhe Lindja e Mesme priren të jenë më pesimiste, ndërsa vendet në Azi, për shembull, duken të jenë më optimiste. Turqia është një rast unik me një rritje rekord të pesimizmit.

Ndërsa pritmëritë për ekonominë tregojnë ankth në botë, Shqipëria renditet e pesta për treguesin optimist pas Nigerisë, Indonezisë, Vietnamit dhe Azerbajxhanit.

(Elona)