Në prag të festave të fundvitit, në tregjet e fruta-perimeve, çmimet për prodhimet e vendit nuk kanë ndryshuar.
Nga një vëzhgim në tregjet e kryeqytetit shqiptar, rezulton se prodhimi i bollshëm ka frenuar rritjen e çmimeve, që zakonisht shoqëron fruta-perimet gjatë fundit të muajit dhjetor, shkruan “ATSH”.
Mbi bazën e statistikave që disponon, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se çmimet e prodhimeve bujqësore nuk kanë luhatje edhe në tregjet e tjera të vendit, madje në zonat me prodhim të lartë bujqësor (Lushnjë, Fier, Berat) çmimet mbajnë edhe nivelin më të ulët në shitje. Sipas MBZHR, prodhimi vendas bujqësor mbizotëron ndaj produkteve të importit në tregjet e vendit, duke favorizuar dhe qëndrueshmëri të çmimeve, krahas rritjes së eksporteve “Made in Albania”.
Investimet kryesisht në prodhimin në serra që sigurojnë prodhim bujqësor përtej sezonit dhe rritja e standardeve për këto produkte ka rritur eksportet dhe të ardhurat në familjet fermere.
Ekspertët shprehen se politikat lehtësuese fiskale, por edhe mbështetja me fonde përmes programeve të ndryshme ka rritur interesin e fermerëve për shtrimin e sipërfaqeve të mbjella me produkte bujqësore.
Vetëm gjatë vitit të fundit, prodhimi i perimeve të freskëta në fushë u rrit me 1.24%, ndërsa gjeografia e shteteve ku eksportohet po zgjerohet. (Elona)