Foto: ATSH

Foto: ATSH

Kryeministri Edi Rama mori pjesë të hënën në ceremoninë e dorëzimit të 153 banesave në pallatet e reja në Kavajë, të ndërtuara pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se duke parë kaq shumë familje që kthehen në shtëpi duke gëzuar Vitin e Ri më fëmijët në një strehë të re është një burim energjie, një burim optimizmi, kuraje dhe një burim krenarie.

Kryeministri Rama deklaroi se programi i rindërtimit po e kthen sfidën e tërmetit në kthesë transformimi.

Zv.kryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj i pranishëm në këtë ceremoni, deklaroi se që në nisjen e punimeve synimi ishte i qartë për të arritur objektivin e duhur. Ahmetaj tha se procesi i rindërtimit është një proces shpirtëror solidariteti i një qeverie dhe një mazhorance për një popull të tërë pa asnjë dallim.

Ahmetaj theksoi se në fund të janarit do të bëhet gati blloku tjetër i pallateve, ku do të futen në shtëpitë e reja 30 familje të tjera. (Fatosi)