Foto: kathimerini

Foto: kathimerini

Ish-presidenti grek Karolos Papulias, është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare, njoftuan mediat greke. Me një karrierë të gjatë politike, Papulias ka shërbyer në disa poste të rëndësishme. Ai u zgjodh si deputet që prej vitit 1977 deri në 2004. Në vitet 1985-1989 ka shërbyer në postin e ministrit të jashtëm. Ai njihet si politikani i lartë grek që theu akullin e izolimit mes Shqipërisë komuniste dhe Greqisë.

Në vitin 2005 ai u zgjodh president i Greqisë, post të cilin e mbajti deri në vitin 2015. Papulias ishte një figurë e dashur për grekët, çka u pasqyrua edhe në dy votimet për zgjedhjen e tij në postin më të lartë të vendit me mbi 95% të votave të parlamentit helen.

I lindur fare afër kufirit shqiptaro-grek, në Voshtinë, përpos një lidhjeje personale me popullin shqiptar, Karolos Papulias është personaliteti dhe politikani që kontribuoi i pari për shkrirjen e akujve mes Shqipërisë dhe Greqisë në prag të përfundimit të luftës së ftohtë.

Si ministër i Jashtëm i Greqisë, Papulias ishte nismëtar për rivendosjen e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe hapjen e pikave të para të pikëkalimit kufitar në vitin 1985. (Fatosi)