Tirana ishte një nga qytetet e para që strehoi refugjatët nga Afganistani, pas shpërthimit të krizës së sigurisë në vend. Në shenjë mirënjohjeje për mikpritjen, artistët afganë kanë realizuar një murale në një nga vendet më historike të kryeqytetit shqiptar, i njohur si “Pallati i Maks Velos”, ku shkruhet: “Faleminderit Shqipëri, nuk do të harrojmë”, përcjell “ATSH”.

Muralja paraqet një burrë afgan, i cili po punon, ndërsa karroca e tij e punës mban hartën e Shqipërisë, të përbërë nga shumë seksione, si simbol multietnik.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se qeveria dhe populli shqiptar treguan që në fillim gatishmërinë për të qenë pranë njerëzve në nevojë.

“Miqtë nga Amerika dhe Afganistani u bashkuan për realizimin e kësaj muraleje, e cila është si një kartolinë mirënjohjeje nga komuniteti afgan që jeton në Shqipëri, për të dhënë edhe ata falënderimet për pritjen që u është bërë”, -tha Veliaj.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi se strehimi i refugjatëve nga Afganistani tregoi edhe njëherë se Shqipëria vijon traditën e bukur dhe fisnike të mikpritjes.

Damon Wilson, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Demokratik (NED) falënderoi shqiptarët për mikpritjen dhe bujarinë e treguar ndaj komunitetit afgan, artistë të jashtëzakonshëm, aktivistë që vërtetë përfaqësojnë shoqërinë civile më të mirë të Afganistanit.

Artistët janë pjesëtarë të ‘Artlords’, një organizatë afgane me aktivistë e artistë vullnetarë, të cilët përmes pikturave murale përcjellin mesazhe shprese dhe paqeje. (Irma)