Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përuroi të mërkurën tregun e ri të rrobave të përdorura në Selitë, ku do të shesin banorët e komunitetit rom dhe egjiptian, që deri dje shisnin në rrugë informale. Sipas kryebashkiakut Veliaj, më në fund pas 30 vitesh, komuniteti rom në zonën e Selitës do të tregtojë në një hapësirë të re, me kushte optimale për ta dhe qytetarët që frekuentojnë tregun. Veliaj tha se ambienti i ri do të jetë një vit pa asnjë pagesë për komunitetin rom.

“Më në fund ka ardhur dita kur komuniteti rom dhe ai egjiptian të trajtohen me të njëjtin dinjitet që trajtohet çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë që jeton në Tiranë, që do të jetojë me punë të ndershme. Do kemi një treg, e cili për një vit do të jetë pa asnjë kosto, pa asnjë pagesë. Edhe pse pagesa është modeste, por është një mënyrë për të dhënë një mesazh e për të thënë: Ne do shesim mbi një tezgë, nuk do shtrihemi në tokë, do respektojmë higjienën se jemi ende në një betejë me pandeminë dhe do jetë falas për një vit, si një mënyrë për të treguar se duam t’i japim të njëjtin respekt çdo komuniteti, çdo qytetari që do të jetojë me djersën e tij, me punën dhe mundin e tij”, -theksoi ai.

Në mënyrë simbolike, kryebashkiaku Veliaj shpërndau licencat e para për tregtarët e rinj në treg.

Në fund, Veliaj ftoi qytetarët që t’i japin një dorë komunitetit rom, duke reklamuar këtë treg, pasi sipas tij kjo është agjencia më e mirë e marketingut. (Elona)