Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një bisedë me përfaqësues të organizatave rinore dhe ekspertë në fushën e inovacionit, deklaroi se e ardhmja është te teknologjia dhe kjo është arsyeja përse edhe buxheti më i madh është fokusuar në drejtim të projekteve novatore, si qendra simotra të TUMO-s në kampuset universitare, ashtu edhe në drejtim të nanoteknologjisë dhe piramidës, projekti më i madh i dedikuar ndonjëherë rinisë.

“Ne ndërtuam 8 godina në Universitetin Bujqësor të Tiranës, nga të cilat dy godina na duhen për studentët, kurse 6 ndërtesat e tjera do t’ia kushtojmë projekteve për teknologjinë. Njëra prej tyre është projektuar si hapësirë për nanoteknologjinë. Ky potencialisht është projekti i parë për nanoteknologjinë dhe jam shpresëplotë se do të funksionojë mirë”, -u shpreh Veliaj. Ai tha se i gjithë programi shkollor po orientohet drejt teknologjisë, që në ciklin e ulët.

Ndër projektet e tjera që gjithashtu i vijnë në ndihmë zhvillimit të qytetit përmes teknologjisë, Veliaj përmendi domosdoshmërinë e ngritjes së një agjencie për transportin publik. (Elona)