Komisioneri evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, përcolli një mesazh për procesin e integrimit, gjatë lidhjes me “Skype” në takimin në kuadër të nismës “Ballkani i hapur”.

Mes të tjerash, komisioneri Varhelyi deklaroi se e kupton dëshpërimin e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, për bllokimin e bisedimeve dhe shtoi se Bashkimi Evropian duhet ta marrë shumë seriozisht këtë proces, pasi ka ardhur koha për mbajtjen e Konferencave të Para Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“E kuptoj dëshpërimin e Zaev, por mos harroni që ne kemi bërë progres në procesin e zgjerimit. Megjithatë, nuk e fsheh keqardhjen time që ende nuk e kemi mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe duhet t’i mbajmë shumë shpejt. Kemi një angazhim nga ana e BE-së që kjo gjë të ndodhë. Duhet marrë shumë seriozisht dhe ka ardhur koha që kjo të ndodhë e t’i sjellin në tryezë të gjitha marrëveshjet”, -u shpreh Varhelyi. (Elona)