Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi në Parlament se qeveria shqiptare do të vijojë të garantojë vaksinimin anti-Covid për qytetarët.

Ajo kujtoi se para 12 muajsh qeveria shqiptare siguroi kontratën e parë prej 500 mijë dozash vaksine me kompaninë “Pfizer”, që do t’i hapte rrugë vaksinimit të popullsisë në Shqipëri, ndërsa tashmë qeveria ka siguruar 3 milionë doza vaksine.

Manastirliu tha se autoritetet kanë siguruar gjithashtu një kontratë të re prej 1.5 milionë dozash me “Pfizer” dhe se do të vijohet edhe më tej me furnizimin me vaksina te tjera.

Duke iu drejtuar skeptikëve të vaksinës, Manastirliu renditi disa fakte mbi rëndësinë e vaksinimit. "10 herë më shumë mundësi për t’u infektuar kanë të pavaksinuarit krahasuar me të vaksinuarit", -tha ministrja.

Prej fillimit të vaksinimit në Shqipëri janë kryer 2.253.886 vaksinime. Mbi 1 milion qytetarë janë vaksinuar me dy doza, ndërsa mbi 124 mijë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës anti-Covid. (Fatosi)