Ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding u takua të mërkurën me zv.kryeministrin dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave i Shqipërisë Arben Ahmetaj. Të dy palët shkëmbyen mendime të thella për zhvillimin e marrëdhënieve kino-shqiptare dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve në fusha të ndryshme.

Ambasadori Zhou Ding u shpreh se sivjet është 100-vjetori i themelimit të Partisë Komuniste të Kinës (PKK). Në këta 100 vjet PKK-ja e ka udhëhequr popullin kinez në rrugën e ngritjes, të pasurimit dhe të forcimit. Vitet e fundit Kina ka pasur arritje të shkëlqyeshme në zhvillimin ekonomik, risitë tekniko-shkencore, zhdukjen e varfërisë etj. Pak kohë më parë këshilltari i Shtetit dhe ministër i Jashtëm i Kinës Wang Yi bëri një vizitë në Shqipëri, gjatë së cilës u arrit konsensus i gjerë për thellimin e miqësisë tradicionale kino-shqiptare dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh. Kina dëshiron që të ndajë përvojën dhe përfitimet e zhvillimit të saj me palën shqiptare, të shfrytëzojë plotësisht potencialin e bashkëpunimit dypalësh dhe të ofrojë përkrahje e ndihmë për zhvillimin ekonomik e shoqëror të Shqipërisë dhe përmirësimin e jetës së popullit shqiptar, duke nxitur zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Zv.kryeministri shqiptar Arben Ahmetaj uroi për 100-vjetorin e themelimit të PKK-së dhe u shpreh se zhvillimi me shpejtësi të madhe, arritjet e shkëlqyeshme në risitë shkencore e teknologjike dhe asgjësimi i varfërisë nga ana e Kinës kanë lënë mbresa të thella. Ai falënderoi për përkrahjen dhe ndihmën e palës kineze për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Shqipëria e konsideron Kinën si një mike të sinqertë dhe shpreson që të thellojë bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella në fusha të ndryshme, duke siguruar që populli shqiptar të përfitojë sa më shumë nga ndihma e Kinës. (Xu Guang/Artan)