Agjencia Evropiane e Ruajtjes së Kufijve, Frontex, njoftoi se prurjet migratore në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian gjatë 11 muajve të këtij viti patën rritje të ndjeshme përfshirë edhe të ashtuquajturën “Rruga e Ballkanit Perëndimor”, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Sipas raportit të Frontex, në nëntor prurjet migratore në kufijtë e jashtëm të BE-së ishin më të mëdhatë që nga viti 2015, raporton “Zëri i Amerikës”.

Raporti i Frontex vlerëson se këtë vit ka pasur rreth 55.310 persona të ndaluar gjatë kalimeve të paligjshme kufitare drejt BE-së përmes së ashtuquajturës “Rrugë e Ballkanit Perëndimor”.

Prurja e emigrantëve përmes kësaj rruge është rritur 138% nga e njëjta periudhë e vitit 2020 dhe 387% krahasuar me vitin 2019, kur ishin ndaluar 11.362 emigrantë të parregullt.

Vetëm në nëntor në këtë rrugë u zbuluan rreth 7300 emigrantë të parregullt, 128% më shumë se nëntori 2020 dhe194% më shumë se nëntori 2019, ku u ndaluan 2481 persona.

Shqipëria është pjesë e Rrugës së Ballkanit Perëndimor ku emigrantët që hyjnë nga kufiri jugor shqiptar me Greqinë kalojnë tranzit për të udhëtuar nga zonat veriore në drejtim të Malit të Zi apo Kosovës me destinacion final vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave kufitare rreth 15 mijë emigrantë të huaj janë ndaluar gjatë 11 muajve të këtij viti në territorin shqiptar kryesisht nga Siria, Afganistani, Bangladeshi, Pakistani dhe Maroku.

Sipas të dhënave zyrtare të Frontex, Shqipëria ka reduktuar ndjeshëm këtë vit dhënien e së drejtës për kërkimin e azilit prej tendencës së emigrantëve për ta përdorur vendin si një pikë tranzit për të kaluar drejt vendeve të BE-së. (Irma)