Më 9 dhjetor, ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding u takua me ministren e Arsimit dhe të Sportit të Shqipërisë Evis Kushi. Të dy palët shkëmbyen mendime për nxitjen e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushat arsimore e sportive.

Ambasadori Zhou Ding u shpreh se arsimi lidhet me të ardhmen e një vendi dhe Kina e Shqipëria i kushtojnë rëndësi arsimit. Në vitet 60' e 70' të shekullit të kaluar, Kina i dha shumë ndihmë Shqipërisë, duke nxitur zhvillimin ekonomik e shoqëror të saj. Njëkohësisht, bashkëpunimi e shkëmbimet midis dy vendeve në fushën arsimore e sportive në atë kohë ishin të shumta. Vitet e fundit, nisma "Një brez, një rrugë" dhe makanizmi i bashkëpunimit midis Kinës e vendeve të Europës Qendrore e Lindore i kanë sjellë një energji të madhe bashkëpunimit kino-shqiptar në të gjitha fushat, duke përfshirë arsimin. Shumë studentë kinezë kanë shkuar në Shqipëri e shumë studentë shqiptarë gjenden në Kinë për studime, duke forcuar lidhjen ndërmjet të dy popujve. Tani të dy palët po kërkojnë aktivisht mënyrat për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis shkollave të larta dhe zgjerimin e shkëmbimeve njerëzore, tha përfaqësuesi diplomatik i Kinës në Shqipëri.

Së shpejti do të hapen Lojërat Olimpike e Paralimpike Dimërore të Pekinit 2022 dhe tani të gjitha punët përgatitore ecin mbarë, u shpreh më tej z. Zhou Ding, duke vënë në dukje që Kina ka besim se do të organizojë një miting olimpik të thjeshtë, të sigurt e të mrekullueshëm.

Nga ana e saj, ministrja Evis Kushi u shpreh se shkëmbimet miqësore midis popullit shqiptar e popullit kinez në shekullin e kaluar janë një kujtim i çmuar dhe miqësia tradicionale dypalëshe duhet trashëguar e zhvilluar më tej. Shqipëria dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fushën e shkëmbimeve shkencore e arsimore, dërgimin e studentëve, zhvillimin e kampeve të stërvitjes sportive etj. Shqipëria po bën përgatitje për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit dhe uron që sportistët e të dy vendeve të arrijnë rezultate të mira në këtë veprimtari. (Fani)