Tirana përkujtoi dhe festoi 8 dhjetorin, Ditën e Rinisë, që i paraprin morisë së aktiviteteve që do të zhvillohen vitin e ardhshëm, në kuadër të titullit Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022-shin.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Tirana është gati të marrë stafetën e Kryeqytetit Evropian të Rinisë dhe nuk do të mungojë mbështetja për projektet rinore.

“Tirana do të jetë një hapësirë për të rinjtë e rajonit, për t’iu thënë se Ballkani i Hapur dhe një shtëpi e hapur është zemra që ofron Tirana për secilin prej jush”, - nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku iu drejtua me një mesazh edhe të rinjve aktivistë të partive politike, që të lënë pas politikën konfliktuale të viteve ’90. Ai i ftoi ata të bashkohen në aktivitetet e shumta që do të organizohen përgjatë 2022-it.

“Jemi shumë pak për t’u përçarë. Kur ne ndërtojmë një shkollë, nuk e ndërtojmë për ata të partisë; në atë shkollë shkojnë të gjithë, edhe të majtë, edhe të djathtë. Ky vit i rinisë është për të gjithë, edhe për të majtë, edhe për të djathtë”, -theksoi ai.

Veliaj theksoi se nëse të gjithë arrijnë të punojnë së bashku, atëherë mund të ndryshojnë jo vetëm qytetin, por edhe Evropën.

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, anëtarë të kabinetit dhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, të cilët inkurajuan të rinjtë që të luajnë një rol aktiv në shoqëri dhe në ndërtimin e demokracisë shqiptare. (Elona)