Në Shqipëri kredia e sektorit bankar në dollarë amerikanë këtë vit ka arritur nivelet minimale në të paktën gjashtë vjet, njofton “Monitor”.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 10-mujorin e këtij viti, e gjithë kredia e re kishte vlerën e 47.5 milionë dollarëve amerikanë, në rënie me 41.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky është i treti vit radhazi që kredia në dollarë po bie.

Kredia në dollarë amerikanë është e përqendruar pothuajse e gjitha në segmentin e biznesit. Kompanitë private zotërojnë rreth 98% të portofolit aktiv të kredisë në dollarë.

Kredia në dollarë amerikanë në Shqipëri përdoret kryesisht nga bizneset që kanë marrëdhënie tregtie me SHBA dhe shtete të tjera ku dollari vazhdon të jetë valuta e huaj referuese në ekonomi dhe këmbimet tregtare.

Dollari mbetet monedhë referuese në tregjet jashtë Europës. Disa banka shqiptare kanë tentuar të mundësojnë aksesin e dhe në valutën kineze Renminbi, por, deri tani, pa shumë sukses. (Fatosi)