Foto: Balkanweb

Foto: Balkanweb

Në blloqet e banimit në kryeqytet nuk do të jepen më leje zhvillimi aktivitetesh që gjenerojnë zhurmë, përfshirë edhe lavazhet apo serviset e makinave, të cilat do të zhvendosen, si në çdo qytet perëndimor, larg zonave të banuara.

Bashkia e Tiranës do të jetë bashkia e parë që do të disiplinojë dhënien e lejeve të tipit C për subjekte të tilla, por gjithashtu do të menaxhojë edhe zhurmat e trafikut dhe do krijojë një hartë të zonave të gjelbra akustike. Lajmi u dha nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një dëgjese të zhvilluar me ministren e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, dhe përfaqësues të institucioneve të përfshira në hartimin e Planit Lokal të Veprimit mbi Zhurmat për Bashkinë e Tiranës, si një mënyrë për të përmirësuar cilësinë e jetës në kryeqytet.

“Së bashku me kryebashkiakun Veliaj nisim një plan aksioni të përbashkët për reduktimin e zhurmave në qytet, si mënyra e vetme për të krijuar hartën e zonave të qeta në Tiranë, sidomos rreth shkollave, universiteteve dhe parqeve”, -tha Kumbaro.

“Duhet të kuptojmë se po drejtojmë një qytet ku, siç është rritur vlera e pronës nga pastrimi fizik, ashtu do të vazhdojë t’i rritet vlera pronës edhe nga pastrimi akustik”, -nënvizoi Veliaj.

Ai shtoi se në funksion të këtij plani do t’i jepen kompetenca të plota të gjithë punonjësve nën uniformën e Policisë së Shtetit apo bashkiake. (Irma)