Foto: ATSH

Foto: ATSH

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në takimin e 28-të të Këshillit Ministror të OSBE-së, që u mbajt në Suedi, ku Shqipëria është pjesë e trojkës kryesuese të organizatës, deklaroi se nisma “Ballkani i hapur” është një mjet efektiv për të luftuar pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë, që po rriten gjithnjë e më shumë në hapësirën e OSBE-së.

Sipas saj, bashkëpunimi dhe dialogu janë e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund konflikteve dhe t’i hapin rrugë negociatave, përcjell “ATSH”.

Ministrja Xhaçka tha se “Ballkani i Hapur”, në thelb është një përpjekje për të përshpejtuar Procesin e Berlinit.

“Sigurisht, ka çështje të pazgjidhura mes shumë njerëzve dhe vendeve në rajonin tonë. Por ne besojmë se duke biseduar, duke bashkëpunuar, duke u treguar njerëzve tanë dhe komuniteteve tona se si mund të përfitojnë nga bashkëpunimi, në vend të konfliktit, ne do të krijojmë një imperativ për paqen dhe stabilitetin duke punuar së bashku”, deklaroi ministrja gjatë fjalës së saj. (Irma)