Parku Kombëtar i Valbonës në Tropojë është renditur nga revista amerikane “Forbes” mes 5 bukurive mahnitëse natyrore të Ballkanit Perëndimor që duhen vizituar. Sipas “Forbes”, në Luginën e Valbonës shfaqet plotësisht biodiversiteti i pasur i rajonit.

“Majat e larta të maleve të kujtojnë majat e thepisura në Zvicër apo Austri. Ky vargmal është pjesë e Bjeshkëve të Nemuna, një formacion që quhet edhe Alpet Shqiptare. Nuk mungojnë fshatrat idilike për t’u eksploruar, nga Dragobia deri në Valbonë. Ky park ikonik është shtëpia edhe e shumë specieve, si arinjtë e murrmë, dhitë e egra dhe rrëqebulli”, shkruan “Forbes”, përcjell “ATSH”.

Ndër bukuritë e tjera Ballkanit Perëndimor të renditura nga “Forbes” janë edhe Parku Kombëtar Una në Bosnjë, Parku Kombëtar Tara në Beograd, Parku Kombëtar Pirin në Bullgari dhe Parku Kombëtar i Liqenit të Kerkinit në Greqi.

Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar 1996. Ai ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare. (Irma)