Të rinjtë shqiptarë të moshës nën 19 vjeç po marrin pjesën më të madhe të lejeve të qëndrimit që po jepen nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për shtetasit jo të BE-së, ku rekordin po e mbajnë fëmijët nën 4 vjeç.

Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, në vitin 2020 u dhanë gjithsej 19.5 mijë leje qëndrimi për arsye familjare për shtetasit shqiptarë, në një nga vendet e BE-së. Nga këta, 52% ishin të moshës nën 19 vjeç, nga 48% që ishte kjo peshë vitin e mëparshëm. Sipas Eurostat, gati 30% e totalit të lejeve të dhëna ishin për fëmijët nën 4 vjeç, një tregues ky që po largohen kryesisht familjet e reja. Vitin e kaluar kjo peshë ishte 24%. 9.8% e lejeve të qëndrimit për arsye familjare u dhanë për fëmijët nga 5-9 vjeç; 7.2% për grupmoshat nga 10-14 vjeç. Për të rinjtë nga 15-19 vjeç u dhanë rreth 5% e totalit.

Italia, Greqia dhe Gjermania po japin pjesën më të madhe të lejeve për fëmijët nën 4 vjeç. Ndërsa Italia dhe Greqia kanë qenë destinacione tradicionale të emigrantëve, Gjermania po rritet vitet e fundit, kryesisht për shkak të personave që po ikin me leje pune në shtetin me ekonominë më të madhe në Evropë. (Elona)