Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga qendra e vaksinimit të përqendruar në stadiumin “Air Albania” tha se të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë, janë të shqetësuara sa i përket përhapjes së variantit Omicron dhe bëri thirrje për vaksinimin kundër Covid-19.

“Është e rëndësishme të vijojmë vaksinimin edhe në raport me variantin e ri Omicron që tashmë ka shqetësuar botën. Jo duke i vendosur vendet në panik, por i ka vendosur në një gatishmëri të shtuar të gjitha vendet, ashtu sikurse edhe ne”, - tha Manastirliu.

Duke folur për variantin e ri Omicron, Manastirliu tha se ISHP do të dërgojë mostrat për analizim për të parë nëse ky variant ka qarkulluar apo po qarkullon në Shqipëri.

Lidhur me masat anti-Covid, Manastirliu tha se po bëhet një vlerësim i imtësishëm i të gjitha masave aktuale, duke filluar nga masat ekzistuese të qarkullimit dhe vendosjes së maskave në ambientet e brendshme dhe do të vendoset në varësi të situatës.

“Janë elemente shumë të rëndësishme që duhet të vazhdojnë që të zbatohen nga të gjithë qytetarët, pasi kjo është një betejë e cila fitohet vetëm nëse qytetarët dhe autoritetet janë së bashku në zbatimin e këtyre masave të thjeshta”, -tha Manastirliu.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, tha se Omicron mendohet që ka një transmetueshmëri të lartë, megjithatë edhe kjo mbetet për t’u parë sepse ka nevojë që të vlerësohet se si është transmetueshmëria brenda familjes apo jashtë saj. Për sa u përket formave të rënda, natyrisht shtimi i rasteve mund të pasohet edhe me format e rënda. (Elona)