Ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding mori pjesë të martën në ceremoninë e mbylljes së seminarit online mbi tregtinë elektronike për ndërmarrjet e mesme e të vogla dhe kompanitë fillestare.

Ambasadori Zhou Ding u shpreh se seminari 12-ditor ka ndarë përvojën e suksesshme dhe rastet klasike në fushën e tregtisë elektronike të Kinës, me shpresën për të ofruar një referencë për promovimin e ekonomisë digjitale në Shqipëri dhe për të krijuar mundësi bashkëpunimi midis të dyja palëve. Vitet e fundit marrëdhëniet ekonomike-tregtare midis Kinës e Shqipërisë janë thelluar vazhdimisht dhe Kina ka ruajtur prej kohësh pozicionin e saj si partnere kryesore tregtare e Shqipërisë. Këshilltari i Shtetit dhe ministër i Punëve të Jashtme i Kinës Wang Yi bëri një vizitë të suksesshme në Shqipëri pak kohë më parë. Gjatë kësaj vizite të dyja palët u shprehën se do të promovojnë më tej miqësinë tradicionale, do të rrisin besimin reciprok politik, do të thellojnë bashkëpunimin në fushën ekonomike, tregtare, të investimeve e të shkëmbimeve kulturore dhe do të shkruajnë një kapitull të ri në marrëdhëniet kino-shqiptare në periudhën e re historike. Tani tregtia elektronike e Kinës ka hyrë nga faza e zhvillimit të shpejtë në fazën e zhvillimit me cilësi të lartë. (Në vitin 2020, vëllimi i tregtisë elektronike në Kinë arriti në 5.77 trilionë dollarë, ndërsa vëllimi i import-eksportit të tregtisë elektronike ndërkufitare ishte 260 miliardë dollarë, me një rritje vjetore 31.1%.) Qeveria shqiptare po e konsideron tregtinë elektronike si një nga shtyllat e rëndësishme të ekonomisë. Tashmë në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë kompani që ofrojnë produkte e shërbime përmes platformave në internet. Tregtia elektronike në Shqipëri ka një perspektivë shumë të gjerë.

Përfaqësuesi diplomatik i Kinës në Shqipëri shtoi në vijim që, në fjalimin e hapjes së Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës, presidenti Xi Jinping vuri në dukje se Kina do të vazhdojë angazhimin e saj për një globalizim ekonomik më të hapur, gjithëpërfshirës, të balancuar e të dobishëm për të gjithë dhe do të ruajë stabilitetin e zinxhirëve globalë industrialë e të furnizimit. Kina do ta vendosë më shumë theksin në zgjerimin e importit dhe do të ndjekë zhvillimin e ekuilibruar të tregtisë, për të ndarë mundësitë e tregut të saj me botën. Kina do të përshpejtojë zhvillimin e “tregtisë elektronike të Rrugës së Mëndafshit”, do të forcojë kapacitetin e logjistikës ndërkufitare dhe do të angazhohet thellësisht në bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillimin e gjelbër e me lëshim të ulët karboni, si edhe në ekonominë digjitale. (Zhan Dian/Artan)