Përkujtohet Kongresi i Manastirit, unifikuesi i alfabetit të gjuhës shqipe - Foto ATSH

Përkujtohet Kongresi i Manastirit, unifikuesi i alfabetit të gjuhës shqipe - Foto ATSH

Ekspozita e përgatitur nga Muzeu Historik Kombëtar, me titull “Rrugëtimi drejt Alfabetit – Kongresi i Manastirit 14 – 22 Nëntor 1908”, është hapur në ambientet e Muzeut të Alfabetit në Manastir, Maqedoni e Veriut. Në çeljen e kësaj ekspozite ishin të pranishëm drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, drejtori i Muzeut të Alfabetit në Manastir, Zait Aliu dhe sekretari i Shtetit për Kulturën në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Valmir Aziri.

“Ekspozita me titull “Rrugëtimi drejt Alfabetit – Kongresi i Manastirit 14 – 22 Nëntor 1908” paraqet rrugëtimin e përpjekjeve të rilindasve për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe në shek. XIX dhe veçanërisht në fund të gjysmës së parë të tij”, tha Koçi.

Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të SHBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj.