“Visual Capitalist”, një faqe globale e publikimeve “online”, ka realizuar hartën e grupeve të gjakut më të përhapura nëpër vende të ndryshme të botës.

Sipas hartës, në Shqipëri mbizotëron grupi i gjakut zero, një nga tre vendet evropiane, së bashku me Italinë dhe Greqinë.

Në Evropë më i zakonshëm është grupi A i gjakut. Pothuajse 40% e popullsisë në Danimarkë, Norvegji, Austri dhe Ukrainë kanë këtë lloj grupi, përcjell “Monitor”.

Sipas raportit, nga rreth 7.9 miliardë njerëz që jetojnë në botë, të shpërndarë në 195 vende dhe 7 kontinente, grupi më i zakonshëm i gjakut është 0+, me mbi 39% të popullsisë së botës që futet në këtë klasifikim. Ndërkaq, më i rrallë është AB-, me vetëm 0.40% të popullsisë që e ka këtë grup gjaku.

Në nivel kombëtar, këto statistika fillojnë të ndryshojnë. Meqenëse faktorë të ndryshëm gjenetikë luajnë një rol në përcaktimin e grupit të gjakut të një individi, çdo vend dhe rajon tregon një histori të ndryshme për njerëzit e tij. (Irma)