Promovimi i letërsisë kineze në Panairin e librit në Tiranë (CMG)

Promovimi i letërsisë kineze në Panairin e librit në Tiranë (CMG)

Në ditën e dytë të tij, në Panairin e 24-t të Librit, që zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, u promovuan vepra nga letërsia dhe filozofia kineze. Në një tryezë të rrumbullakët u promovua një nga veprat më të njohura të letërsisë klasike kineze “Ëndërr në Pallatin e Kuq” e autorit Cao Xueqin, përkthyer nga anglishtja nga Diana Çuli dhe Venera Domi, botim i shtëpisë botuese “Dituria”. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri në fjalën e tij theksoi se lexuesi shqiptar i ka pritur mjaft mirë përkthimet nga kinezishtja, që kanë të bëjnë me kulturën, historinë dhe traditat e popullit kinez. Këto libra, tha Ymeri, u janë rekomanduar edhe shkollave të mesme dhe universiteteve, për t’ua bërë të njohura nxënësve dhe studentëve.

Duke u ndalur te projekti i përkthimit të ndërsjellë të librave, të iniciuar në vitin 2016, Ymeri nënvizoi rëndësinë e shtimit të bashkëpunimit me Kinën në fushën e botimeve.

Panairi i librit ne Tirane ( CMG)

Panairi i librit ne Tirane ( CMG)

I pranishëm në promovim, ambasadori kinez në Shqipëri, Zhou Ding, pasi tha se “Ëndërr në Pallatin e Kuq” është një nga librat e tij të preferuar, nënvizoi se me përpjekjet e përbashkëta të qeverisë kineze dhe shqiptare si dhe të miqve nga qarqet e ndryshme, bashkëpunimi në fushën njerëzore dhe kulturore ka pasur fryte të dukshme.

“Ky bashkëpunim është bërë një pikë e re e ndritur në bashkëpunimin kulturor midis dy vendeve tona, duke luajtur një rol pozitiv për njohjen reciproke dhe miqësinë e dy popujve”, -tha ambasadori kinez. Ai premtoi se Ambasada Kineze është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë dhe shtëpi të ndryshme botuese, për të promovuar më shumë vepra të shkëlqyera kineze dhe shqiptare në të dyja vendet.

Në një tjetër ceremoni, shtëpia botuese “OMBRA” promovoi librin “Tao Te Ching” të Laozi, përkthyer nga origjinali nga sinologu Iljaz Spahiu. Gjatë promovimit u vlerësua nga botuesi Gëzim Tafa, cilësia e lartë e përkthimit, duke njoftuar se këtë vit bashkëpunimi me sinologun Spahiu do të rritet me tre vepra të tjera nga letërsia kineze.

Panairi i librit(CMG)

Panairi i librit(CMG)

Ambasadori Zhou Ding, u shpreh në fjalën e tij: “Më ka çuditur dhe frymëzuar shumë, sepse këto fakte tregojnë se shqiptarët kanë shumë dashuri për leximin, për librat dhe për Kinën, gjë që më ka lënë një përshtypje shumë të thellë”.

Ai vlerësoi përkthyesin Iljaz Spahiu për kontributin e tij në sjelljen në shqip të veprave të autorëve kinezë.

Në një nga mjediset e Panairit të Librit edhe shtëpia botuese “Fan Noli” promovoi vepra të autorëve kinezë. (Eda Merepeza)