Foto:ATSH

Foto:ATSH

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi kanë marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Universiteti i Mjekësisë, ku 300 studentë të rinj në mënyrë simbolike kanë veshur bluzat e bardha, duke nisur rrugën e dijes në degën e Mjekësisë.

“Bazat e besimit mjek-pacient mbështeten në tri shtylla: ndershmëria, dija, aftësitë profesionale. Është shumë e rëndësishme që bashkë me dijen dhe me aftësitë profesionale, së bashku të udhëhiqeni dhe nga ndershmëria që e karakterizon këtë profesion”, -tha Manastirliu në fjalën përshëndetëse.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se angazhimi për Paktin për Universitetin është jetësuar dhe do të vijojë më tej, me projekte të reja në dobi të cilësisë së mësimdhënies.

Ministrja e Shëndetësisë theksoi se sot mjekët, infermierët dhe të gjithë profesionistët e shëndetit punësohen me transparencë dhe meritë përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”.

Ajo u kërkoi studendëve të bëhen misionarë të procesit jetik të vaksinimit anti- Covid.

Çdo vit, rreth 330 studentë të rinj nisin studimet në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa në të gjitha degët e Universitetit të Mjekësisë të Tiranës janë mbi 2200 kuota studimi. (Elona)