Foto:VCG

Foto:VCG

Turizmi po i rikthehet gradualisht niveleve të para krizës në të gjithë Evropën, ndonëse nuk i ka arritur ende nivelet e 2019-s. Eurostat raportoi se në Shqipëri, për 6-mujorin e parë të vitit u regjistruan gjithsej 719 mijë net qëndrime, më se dyfishi në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, net-qëndrimet për 6-mujorin e parë mbeten gati 11% më të ulëta. Megjithatë, maji dhe qershori ishin më pozitivë, duke rezultuar rreth 8% më pak sesa nivelet e parakrizës.

Për shkak të hapjes së shpejtë të vendit dhe lehtësimit të masave, turizmi në Shqipëri rezulton më pak i goditur se në vendet e tjera të rajonit dhe me mesataren e Bashkimit Evropian, shkruan “Monitor”.

Sipas Eurostat, net-qëndrimet e turistëve në Maqedoninë e Veriut për 6-mujorin e parë të vitit ishin 57% më të ulëta në krahasim me janar-qershor të 2019-s. Për Serbinë, shifra në të njëjtën periudhë është 31% më pak dhe për Turqinë 42% më pak sesa parakriza.

Për 27 vendet e Bashkimit Evropian, net-qëndrimet në akomodimet turistike në 6-mujorin e parë 2021 ishin gati 70% më të ulëta në krahasim me janar-qershor të 2019-s. Tkurrja më e lartë nga vendet e BE-së, me më shumë se 50% u shënua në Bullgari, Gjermani e Danimarkë. (Elona)