Foto: ATSH

Foto: ATSH

Në Nish u zhvillua takimi i ministrave dhe përfaqësuesve të qeverive të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, në kuadër të nismës “Open Balkan”.

Takimi u hap nga ministri serb i Financave, Sinisha Mali, i cili deklaroi se qëllimi i tri vendeve është që duhet të punojnë si një i vetëm, raporton “ATSH”.

Mali theksoi se qëllimi i përfaqësuesve të qeverive të tre vendeve është përpunimi i një plani se si të përmirësohet shkëmbimi i mallrave, shërbimeve dhe njerëzve dhe si të mënjanohet gjithçka që të tre ekonomitë e shikojnë si pengesë për zhvillim dhe përparim. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se Shqipëria do të japë ndihmën e saj që kjo nismë të jetësohet sa më shpejt.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Maqedonisë së Veriut, Dimkovski theksoi se realizimi i nismës “Open Balkan” nuk do të jetë i lehtë, por që tre qeveritë së bashku do të luftojnë që ajo të arrihet. Ai shprehu besimin se nisma do të sjellë të ardhme më të mirë për ekonomitë e tre vendeve.(Fatosi)