Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi se vijojnë programet e shëndetit publik, për vaksinimin e qytetarëve në prag të sezonit të dimrit, për vaksinimin ndaj gripit dhe anti-Covid.
Gjatë inspektimit të në qendre spitalore në Tiranë, ministrja Manastirliu tha se në pak javë, më shumë se 100 mijë qytetarë janë vaksinuar kundër gripit në qendrat shëndetësore, teksa vijon paralelisht vaksinimi anti-Covid edhe për dozën e tretë përforcuese, për të gjitha kategoritë e rrezikuara.
“Ne kemi filluar tashmë me dozat përforcuese, dozat e treta. Gjithashtu edhe me vaksinimin e fëmijëve të grupmoshës +16 vjeç dhe për fëmijët +12 vjeç, të cilët kanë problematika të sëmundjeve që lidhen me imunitetin. Më shumë se 15 mijë doza të treta janë kryer përgjatë këtyre ditëve të para të muajit nëntor”, -tha Manastirliu.
Në buxhetin e shtetit 2022 janë alokuar 2.7 miliardë lekë si financim për programin kombëtar të vaksinimit masiv anti-Covid. Aktualisht po vijohet edhe me dozën e tretë kundër koronavirusit. Prej fillimit të fushatës së vaksinimit janë kryer mbi 1.9 milionë doza të vaksinës ndaj Covid-19. Mbi 1 milion qytetarë kanë marrë të paktën një dozë. (Irma)