Rritja e çmimeve në bare e restorante ka vijuar edhe në muajin tetor.

Sipas INSTAT-it, Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që mat ndryshimin vjetor, për kategorinë e kafe-restoranteve ishte 1.9% në tetor. Kjo është rritja më e lartë vjetore e çmimeve që prej fundit të vitit 2014, shkruan “Monitor”.

Shtrenjtimi i kostos së kafesë së importuar dhe i sheqerit është arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë. Prodhuesi më i madh në botë i kafesë, Brazili, është goditur me një nga thatësirat më të rënda të vendit në gati një shekull, sipas “Wall Street Journal” dhe kjo ka reflektuar çmimin e kafesë kudo në botë. Gjithashtu, thatësirat kanë ndikuar edhe në prodhim më të ulët të grurit dhe si pasojë, çmimi i tij në bursë është rritur. Tashmë, globalisht çmimet e produkteve të grurit janë në rritje.

Edhe rritja e produkteve të tjera ushqimore po ndikon në çmime më të larta për ushqimet që serviren në restorante. Orizi, makaronat, vaji, të gjitha kushtojnë më shtrenjtë.

Enri Jahaj, i cili drejton Shoqatën e Bareve dhe Restoranteve, tha se çmimi i kafesë në bare dhe restorante ka vend për rritje të mëtejshme, pasi sipas tij, Shqipëria ka nivelet më të ulëta të produktit në rajon. Jahaj pohon se kafeja është një produkt tërësisht importi, ndaj rritja e çmimeve në tregjet e huaja reflektohet menjëherë edhe në tregjet vendase. (Elona)