Maqedonia e Veriut shpalli të martën krizë energjetike, e cila do të zgjasë 30 ditë. Qeveria bëri të ditur se shpallja e gjendjes së krizës është për të injektuar mjete te kompanitë energjetike dhe për të rritur likuiditetin e tyre. Vendimi i qeverisë nuk parashikon masa kufizuese për qytetarët, por nga janari çmimi i energjisë elektrike pritet të rritet për rreth 8-9 për qind, bën të ditur “Radio Evropa e Lirë”.

Qeveria njoftoi se rreth 4 miliardë denarë (rreth 65 milionë euro) do të transferohen nga buxheti te kompanitë energjetike, për të kapërcyer, siç tha, të gjitha rreziqet në sektorin e energjisë dhe për furnizim të rregullt me energji elektrike.

Evropa është duke u përballur me krizë energjetike prej disa javësh, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.

Ndërkohë, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se përkundër krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve globale, tani për tani nuk pritet përkeqësim i gjendjes ekonomike.

Banka Popullore parashikon rimëkëmbje të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut me një rritje prej 3.9% këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Inflacioni këtë vit parashikohet të mbyllet me 3.1%, ndërsa vitin e ardhshëm me 2.4%. (Elona)