Foto:ATSh

Foto:ATSH

Shqipëria ka krijuar për herë të parë hartat digjitale topografike të standardeve bashkëkohore, njofton “ATSH”.

Që nga viti 2017, qeveria shqiptare në bashkëpunim me qeverinë e Japonisë, përmes Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), mbështesin Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), për të zbatuar “Projektin për Informacionin Gjeohapësinor dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Tokës në zonën Tiranë-Durrës”.

Objektivi kryesor i projektit është rritja e aktiviteteve të zhvillimit social dhe ekonomik në këtë zonë, duke shfrytëzuar hartat topografike digjitale në shkallë të gjerë. Projekti gjithashtu ka zhvilluar me sukses kapacitetin e prodhimit të hartave topografike dhe saktësinë e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG).

Hartat topografike digjitale të shkallës 1:2000 që mbulojnë 300 km2 u krijuan nga një bashkëpunim i suksesshëm midis Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor (ASIG) dhe Ekipit të Projektit JICA që përfshin kompanitë lokale. Hartat janë në përputhje me direktivën BE INSPIRE dhe kanë rezolucion e saktësi të lartë. (Fatosi)