Foto:ATSH

Foto:ATSH

Kopshti i ri zoologjik i Tiranës do të hapë së shpejti dyert, duke u dhënë fëmijëve një atraksion të munguar prej vitesh. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama pas inspektimit të punimeve në këtë kopsht zoologjik, i rikonceptuar si një mjedis i përshtatshëm për kafshët dhe me hapësira çlodhëse për vizitorët.

“Për pak do të hapë dyert edhe ky kopsht i ri zoologjik më në fund, falë një projekti shumë të bukur të bashkisë së Tiranës, një bashkëpunim intensiv së bashku me kryebashkiakun Veliaj dhe ekipin e bashkisë, për t’u dhënë fëmijëve një atraksion të munguar për shumë e shumë vite, por me një cilësi absolutisht shumë herë më të mirë se sa çfarë ishte dikur kur ne ishim të vegjël”, -tha Rama, citon “ATSH”.

Kopshti i ri zoologjik ofron hapësira për shërbime dhe mjedise të nevojshme për vizitorët e tij, ambiente rekreative ku mbizotërojnë hapësirat e gjelbra të shfrytëzueshme edhe për piknik, si dhe këndet e lojërave për fëmijë, por nuk do të mungojnë as mjediset edukative për studentët dhe nxënësit që studiojnë veçanërisht botën e kafshëve.

Projekti parashikon tharjen e liqeneve ekzistuese dhe krijimin e tre liqeneve të reja. Nga sipërfaqja e re e përfituar do të shtohen hapësirat në dispozicion për strehimin e kafshëve. (Fatosi)