Vaksina antigrip në Shqipëri, RTSH

Vaksina antigrip në Shqipëri, RTSH

Organizata Botërore e Shëndetësisë për Evropën ka çelur fushatën e ndërgjegjësimit për gripin stinor, pjesë e të cilës është bërë edhe Shqipëria. Në një sesion të mbajtur në Kopenhagë, OBSH lançoi fushatën antigrip dhe masat kundër Covid-19 ndërsa është prezantuar përmes një kronike ecuria e vaksinimit të gripit stinor dhe anti-Covid në Shqipëri. OBSH-ja thekson se programi i vaksinimit kundër gripit në Shqipëri ka përparuar gjatë viteve të fundit dhe përfshirja e vaksinimit nga punonjësit e kujdesit shëndetësor është shumë e lartë.

“Vendi iu bashkua Partneritetit për Prezantimin e Vaksinave të Gripit (PIVI) në vitin 2016, por edhe para kësaj, Shqipëria kishte një program kombëtar të vaksinës kundër gripit, të financuar nga qeveria për punonjësit e kujdesit shëndetësor. Që nga anëtarësimi në PIVI, programi i vaksinimit i Shqipërisë është zgjeruar duke përfshirë më shumë punonjës të kujdesit shëndetësor, si dhe për të vaksinuar të rriturit me kushte themelore shëndetësore, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe grupet e tjera të synuara”, -shprehet OBSH.

Fushata e vaksinimit kundër gripit në Shqipëri filloi më 23 tetor, në Qendrën e Kujdesit Parësor (Nr.10) në Tiranë. Fushata synoi fillimisht vaksinimin e punonjësve të kujdesit shëndetësor për të vijuar me grupet kryesore të rrezikuara, si të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna. (Irma)