Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi se të gjitha vaksinat që përdoren në Shqipëri janë të miratuara nga OBSH-ja dhe nga agjenci të rëndësishme të barnave.

Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ministrja Manastirliu shprehu keqardhje për tendencat për keqinformim mbi këtë çështje, duke theksuar se e vërteta, duke qenë e bazuar te shkenca, tek ekspertet më të mirë, ndërkombëtarë dhe shqiptarë, nuk mundet të shtrembërohet nga askush.

Ministrja bëri një ekspoze të vaksinave që përdoren në vend, duke renditur: “Pfizer Biontech” e aprovuar në 101 vende të botës dhe është parakualifikuar nga OBSH; “AstraZeneca” e aprovuar në 124 vende të botës dhe është e parakualifikuar nga OBSH; “Covishield” (AstraZeneca) e aprovuar në 41 vende të botës dhe është e parakualifikuar nga OBSH; “Coronavac” e “Sinovac” e aprovuar në 41 vende të botës dhe e parakualifikuar nga OBSH; “Sputnik V” e aprovuar nga 72 vende të botës.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani rreth 2.5 milionë vaksina dhe janë kryer më shumë se 1.9 milionë vaksinime. (Irma)