Kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, u mblodhën në Beograd, për takimin e radhës në kuadër të nismës rajonale “Ballkani i hapur”.

Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e nismës “Open Balkan”, duke nënvizuar se ajo është në të mirë të qytetarëve të vendeve të përfshira. Sipas tij, përmes kësaj nisme do të hiqen barrierat dhe do të mundësohet një lëvizje e lirë e mallrave dhe njerëzve.

Kryeministri Rama paralajmëroi hapjen e një kanali të gjelbër për kompanitë e tre vendeve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë, duke filluar nga janari, gjë që do të ndihmojë në qarkullimin e mallrave.

“Ballkani i Hapur është për 6 vende, jo për 3. Ai nuk merret dot peng nga asnjë vend. Pasi përcakton se kushdo që do të ecë më shpejt nuk do të presë sikur të jemi një karikaturë e BE-së. Kemi përcaktuar edhe njëherë për të gjithë ata që bëjnë sikur nuk duan ta kuptojnë, se Ballkani i Hapur është gjithëpërfshirës, i hapur dhe i të gjithëve, por as Shqipëria as Serbia as RMV nuk do presin deri sa t’u mbushet mendja të tjerëve. I kam dëgjuar arsyet e vendeve të tjera, por janë arsye të mosarsyes. Unë jam këtu për interesat ekonomike të Shqipërisë, të cilat drejtpërdrejt fuqizohen nga Ballkani i Hapur”, -deklaroi Rama. (Irma)