Alarmi se degët e arsimit po shkrihen në tre universitete të Shqipërisë u dha këtë të mërkurë nga deputeti demokrat Luçiano Boçi në Komisionin parlamentar të Arsimit. Boçi tha se pas një dekade, shoqëria shqiptare do të vuajë nga kriza e mësimdhënies, pasi nuk do të ketë më mësues.

Ai theksoi se arsimimi ka humbur në Elbasan, Shkodër dhe në Gjirokastër, për shkak të mungesës së paketave financiare.

Në fjalën e tij, deputeti demokrat e vendosi theksin te rëndësia e studentëve me mesatare të lartë, të cilët sipas tij duhen mbështetur dhe financuar për të ndjekur degët e mësuesisë.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha se buxheti i vitit 2022 adreson fond për rritjen e pagave për mësuesit, punonjësit edukatorë dhe punonjësit psiko-socialë në të gjitha shkollat. Sipas saj, pagat e mësuesve vitin e ardhshëm do të rriten me 6%.

Ajo vuri në dukje se një nga objektivat dhe prioritetet e qeverisë është arsimi i lartë dhe ndërkombëtarizimi i universiteteve, me qëllim rritjen e cilësisë në arsimin e lartë. (Elona)