Në prag të sezonit të dimrit, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi së bashku me drejtorin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako kërkuan bashkëpunimin e ngushtë të drejtuesve të pushtetit vendor për të marrë të gjitha masat për përballimin e pasojave që mund të sjellin reshjet e shiut.

Gjatë një takimi me kryebashkiakët e vendit, si dhe me prefektët e qarqeve, ministri i Mbrojtjes vuri në dukje faktin se tashmë Shqipëria ka hyrë në zonën e riskut të lartë, në bazë edhe të raportit vjetor të riskut botëror.

Ndërsa shprehu falënderime për punën e kryer gjatë periudhës së verës me zjarret, por edhe në rastet e përmbytjeve, Peleshi vuri theksin në një koordinim më të mirë mes bashkive dhe institucioneve qendrore.

“Duhet të kemi një reagim të hershëm, duke vënë funksion edhe komunitetin, i cili duhet të ndërgjegjësohet për të lajmëruar në mënyrë që të parandalojmë sa më shpejt emergjencën”, -u shpreh Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se qeveria ka menduar një mbështetje financiare mbi 20 milionë dollarë për emergjencat civile.

Një risi, gjithashtu, sipas ministrit Peleshi është edhe fondi prej 800 milionë lekësh për investimet në fushën e mbrojtjes dhe parandalimit të emergjencave civile, i cili do të transferohet tek bashkitë për projekte, të cilat do të seleksionohen nga një komitet që do të ngrihet dhe do të bëjë përzgjedhjen e propozimeve nga njësitë vendore. (Elona)