Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në “Air Albania” të mjekëve të parë që kanë nisur vaksinimin me dozën e tretë të vaksinës anti-Covid.

Sipas ministres, mjekët dhe infermierët, që hyjnë te grupet më të rrezikuara, janë të parët që do të marrin dozën përforcuese, por paralelisht ka nisur edhe administrimi te grupmosha mbi 60 vjeç.

Duke kujtuar se është ulur grupmosha për vaksinim në 16 vjeç dhe për fëmijët +12 vjeç me problematika të sistemit imunitar, Manastirliu tha se do të vijojë furnizimi me vaksina për të garantuar vaksinimin e qytetarëve gjatë këtij viti por edhe vitin tjetër.

“Po vijojmë të negociojmë me kompaninë “Pfizer”, por nga ana tjetër edhe më të gjitha kompanitë të cilat janë në marrëveshje me instrumentin Covax, në mënyrë që të vijojmë të sigurojmë vaksinat për të gjithë qytetarët edhe për raundin e parë dhe të dytë, pra vaksinën e dozës së parë dhe të dytë, por gjithashtu edhe për sigurimin e vaksinave të dozës së tretë përgjatë gjithë këtij viti dhe vitin tjetër”, -tha Manastirliu.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen. “Ndërkohë që ne shkojmë përpara për mbrojtjen e mëtejshme të popullatës është tejet e rëndësishme të rritet numri i të vaksinuarve për të parandaluar problematika me viruse ose shtame të reja”, -tha Fico. (Elona)